
Kryeministri Edi Rama u përplas me gazetaren e CNN International gjatë një interviste kushtuar debatit për investimin në Zvërnec, duke kundërshtuar raportimet që, sipas tij, po krijojnë një perceptim të gabuar për zhvillimet në zonë.
Rama deklaroi se nuk ekziston një projekt i miratuar për Zvërnecin dhe se imazhet që qarkullojnë në rrjetet sociale nuk përfaqësojnë një plan përfundimtar ndërtimi.
“Po ju them të vërtetën. Derisa të më tregoni projektin, duhet të më dëgjoni, sepse nuk ka projekt”, tha kryeministri gjatë intervistës.
Kreu i qeverisë hodhi poshtë edhe pretendimet se familja e presidentit amerikan Donald Trump po merr nën kontroll zonat e mbrojtura në Shqipëri, duke i cilësuar këto si pjesë të një fushate dezinformimi.
Sipas Ramës, Shqipëria po përballet me një “luftë hibride”, me profile të rreme në rrjetet sociale dhe me interesa konkurruese që synojnë të dëmtojnë zhvillimin e turizmit shqiptar.
Ai theksoi se grupi i investitorëve ka angazhuar disa nga arkitektët më të njohur në botë dhe ekspertë ndërkombëtarë për të kryer studimet mjedisore, ndërsa procesi i vlerësimit të ndikimit në mjedis vijon ende.
Rama u ndal edhe te hetimi i SPAK-ut, duke deklaruar se ai lidhet me një çështje pronësie dhe jo me investimin në Zvërnec.
“Hetimi nuk është për investimin. Nuk është për projektin. Nuk është për Kushnerin. Nuk është për Trumpin”, tha ai, duke shtuar se transaksionet për blerjen e tokës janë kryer përmes kanaleve bankare dhe janë plotësisht transparente.
Kryeministri argumentoi se synimi është zhvillimi i një modeli ku natyra dhe turizmi të bashkëjetojnë, duke theksuar se “sfida nuk është të derdhet beton mbi kokat e flamingove”.



