
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se mbikalimi i Rinasit do të shembet pas përfundimit të sezonit veror dhe në vend të tij do të ndërtohet një mbikalim i ri me katër korsi.
Pas mbledhjes së qeverisë, Karakaçi deklaroi se punimet në autostradën Tiranë-Durrës po vijojnë sipas planit, ndërsa aktualisht po punohet në segmentin pranë mbikalimit të Kasharit dhe në nyjet që shërbejnë për subjektet tregtare dhe qytetarët.
Ministri u shpreh se vendimi për të mos nisur tani shembjen e mbikalimit të Rinasit lidhet me fluksin e lartë të lëvizjes gjatë sezonit turistik.
Ai shtoi se qeveria mbetet e hapur për të diskutuar ndërtimin e mbikalimeve të tjera për këmbësorët, nëse lind nevoja gjatë zbatimit të projektit.
Projektligj i ri për energjinë elektrike dhe impiant fotovoltaik me kapacitet 96 MW
Karakaçi njoftoi gjithashtu se qeveria ka miratuar projektligjin e ri për sektorin e energjisë elektrike, i cili harmonizon legjislacionin shqiptar me kuadrin ligjor të Bashkimit Europian.
Sipas tij, ligji sjell koncepte të reja si depozitimi dhe agregimi i energjisë nga vetë konsumatorët, ndërsa vjen në një moment kur energjia fotovoltaike përbën mbi 10% të prodhimit total në vend.
Ministri bëri të ditur se është miratuar edhe ndërtimi i një impianti të ri fotovoltaik me kapacitet 96 megavat, duke theksuar se Shqipëria po hyn në një fazë të re të transformimit të sektorit energjetik.
Aeroporti i Vlorës, 30 ditë afat për zgjidhjen e konfliktit mes ortakëve
Duke folur për situatën në Aeroportin e Vlorës, Karakaçi konfirmoi se Ministria e Infrastrukturës u ka dhënë ortakëve një afat 30-ditor për të zgjidhur mosmarrëveshjet që kanë mes tyre.
Ai paralajmëroi se çdo vonesë në përfundimin e projektit shoqërohet me penalitete financiare, ndërsa ministria ka lëshuar tashmë faturat e para të gjobave.
Sipas ministrit, punimet në aeroport janë në fazë të avancuar dhe qeveria do të marrë të gjitha masat që aeroporti të përfundojë dhe të bëhet operacional brenda afateve të përcaktuara.



