
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim zyrtar Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, gjatë vizitës së tij në Tiranë.
Gjatë takimit, dy zyrtarët diskutuan mbi ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe progresin e arritur në negociatat me Bashkimin Europian.
Presidenti Begaj vlerësoi mbajtjen e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare BE-Shqipëri, e cila konfirmoi përmbushjen e kritereve ndërmjetëse për grupkapitullin “Themeloret”, ndërsa ritheksoi angazhimin e institucioneve shqiptare për mbylljen e grupkapitujve të negociatave deri në fund të vitit 2027.
Kreu i shtetit nënvizoi se reforma në drejtësi, forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe harmonizimi i plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Europian, dëshmojnë seriozitetin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit.
Begaj theksoi gjithashtu se zgjerimi i Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor përbën një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit.
Presidenti falënderoi Antonio Costën për mbështetjen e vazhdueshme ndaj procesit të zgjerimit dhe për vëmendjen që i ka kushtuar Ballkanit Perëndimor gjatë mandatit të tij.
“Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e fuqishme që Këshilli dhe Komisioni Europian po i japin vendit tonë në këtë rrugëtim. Reformat nuk i bëjmë vetëm si kërkesa të BE-së, por mbi të gjitha për qytetarët shqiptarë”, u shpreh Begaj.






