Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër mazhorancën gjatë debatit në Kuvend për raportin e integrimit europian të Shqipërisë, ndërsa nuk kurseu as ironitë ndaj përplasjeve të fundit mes kryeministrit Edi Rama dhe Elisa Spiropali.

Berisha deklaroi se raporti i paraqitur nga qeveria është “mashtrim nga alfa tek omega” dhe akuzoi shumicën se po shmang leximin e tij në seancë për të fshehur përmbajtjen nga qytetarët.

“Sot keni paraqitur në këtë parlament një raport për integrimin në BE që nga fjala e parë tek fjala e fundit është mashtrim dhe vetëm mashtrim,” u shpreh ai.

Sipas Berishës, është “akt antikushtetues” që raporti të mos lexohet në Kuvend përpara diskutimeve dhe votimit të rezolutës.

“Kërkoj të tërhiqet menjëherë raporti. Raporti është fund e krye mashtrime dhe burokraci,” deklaroi kreu i PD.

Gjatë fjalës së tij, Berisha ironizoi edhe raportin e Ramës me Spiropalin, duke përmendur debatet e fundit brenda Partisë Socialiste.

“Dhe ju që po më shihni atje, do u bëj një pyetje unë këtu: si ka mundësi që ajo e quan Pallosh i Gjatë dhe ai bën gjithçka për ta mbrojtur, kurse ti e quan Skënderbeg dhe të flak? Cila është arsyeja?” tha Berisha.

Ai sulmoi gjithashtu edhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke përdorur tone të forta politike gjatë debatit parlamentar.

Demokratët kërkuan që raporti për integrimin të lexohet i plotë në sallë dhe vetëm më pas të vijojë diskutimi parlamentar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu