
Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend një paketë amendamentesh për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, ku propozon kufizimin e orarit të seancave plenare dhe rregulla të reja për përjashtimin e deputetëve.
Një nga propozimet më të forta të demokratëve është që seancat parlamentare të mos vazhdojnë pas orës 22:00.
Sipas amendamentit, nëse seanca zgjatet përtej këtij orari dhe një kryetar grupi parlamentar kërkon ndërprerjen, punimet duhet të pezullohen dhe të rifillojnë ditën tjetër në orën 10:00.
“Në rast të zgjatjes së seancës plenare përtej orës 22:00, me kërkesë të kryetarit të një grupi parlamentar, seanca ndërpritet”, thuhet në draftin e PD-së.
Një tjetër ndryshim lidhet me masat disiplinore ndaj deputetëve.
Demokratët kërkojnë që në rast ankimi ndaj vendimeve të Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, pezullimi i deputetit të “ngrijë” deri në vendimin përfundimtar të Byrosë së Kuvendit.
“Me paraqitjen e ankimit, urdhri i drejtuesit të seancës ose vendimi i Sekretariatit pezullohet deri në vendimin e Byrosë”, thuhet në amendament.
PD propozon gjithashtu që institucionet shtetërore të jenë të detyruara t’u përgjigjen deputetëve brenda 15 ditëve.
Nëse nuk ka përgjigje brenda afatit, sipas draftit, duhet të ndërhyjë kryetarja ose kryetari i Kuvendit.
Ndryshimet e propozuara përfshijnë edhe rritjen e stafit mbështetës për deputetët.






