
Një ndryshim i fortë pritet në mënyrën si do të kontrollohen drejtuesit e mjeteve në Shqipëri. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka dhënë urdhër të prerë që të ndalen praktikat e ndalimeve pa shkak në akset nacionale, duke e zhvendosur fokusin te përdorimi i teknologjisë.
Gjatë takimeve me strukturat e Policisë Rrugore dhe drejtuesit e rendit në qarqe, Hita kërkoi që kontrollet të kryhen përmes mjeteve inteligjente si poliskanët, radarët e shpejtësisë dhe dronët, duke theksuar se “teknologjia është e ardhmja”.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me gjobat: çdo masë administrative e vendosur nga këto pajisje duhet të hidhet në sistem brenda ditës, duke shmangur vonesat dhe abuzimet.
Paralelisht, drejtuesi i Policisë kërkoi kontrolle të forta në qytete për parkimet e gabuara, manovrat e rrezikshme, zhurmat nga mjetet e modifikuara, si dhe drejtimin e automjeteve nën efektin e alkoolit.
Hita vlerësoi edhe reagimin e qytetarëve pas sinjaleve të dhëna për ndryshime në polici, duke e cilësuar si një presion të drejtë për përmirësim të shërbimit.
Në fokus mbetet edhe sezoni turistik, siguria pranë shkollave dhe koordinimi me strukturat si Patrullat e Përgjithshme dhe “Shqiponjat”, për të garantuar më shumë rend dhe siguri në terren.
Në fund, ai theksoi se Policia duhet të jetë model në sjellje dhe integritet, duke ofruar një shërbim të kulturuar dhe profesional për qytetarët.






