Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se bisedimet me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë dështuar, duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Pas takimit, Kurti tha se të gjitha ofertat e bëra nga Vetëvendosje janë refuzuar. Ai bëri të ditur se kishte propozuar që LDK të merrte postin e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Jashtme dhe tre ministri të tjera, madje duke sugjeruar edhe vetë Abdixhikun për këtë rol.

Sipas tij, janë bërë edhe kompromise për ndarjen e posteve të larta shtetërore, përfshirë një rrokadë në drejtimin e Kuvendit, por as këto nuk janë pranuar nga pala tjetër.

Kurti paralajmëroi se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja, të cilat i cilësoi të panevojshme dhe me kosto të lartë për buxhetin e shtetit, duke përmendur se mund të kushtojnë të paktën 1 milion euro.

Ai shtoi se nuk ka më oferta të tjera për bashkëqeverisje, ndërsa theksoi se mungesa e marrëveshjes rrezikon të sjellë sërish bllokim institucional, pasi sipas tij nuk pritet të sigurohet shumica e nevojshme në Kuvend.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu