
Moti në vend pritet të përkeqësohet ndjeshëm në orët në vijim dhe gjatë ditës së nesërme, me reshje shiu që në disa zona do të jenë intensive dhe të shoqëruara me shtrëngata.
Sipas parashikimeve, pasditen e sotme dhe ditën e martë reshjet më të forta do të përfshijnë qarqet Shkodër, Kukës dhe Lezhë, ndërsa në Dibër, Durrës, Tiranë dhe Elbasan priten reshje mesatare të shoqëruara me stuhi. Në pjesën tjetër të vendit reshjet do të jenë më të dobëta.
Autoritetet paralajmërojnë se intensiteti i lartë i reshjeve dhe shtrëngatat mund të sjellin probleme të përkohshme, si rrëshqitje dherash dhe përmbytje lokale, sidomos në zonat urbane me sistem kanalizimi të dobët.
Ndërkohë, temperaturat për ditën e martë pritet të variojnë nga 13 deri në 21 gradë Celsius në bregdet, 8 deri në 22 gradë në zonat e ulëta dhe 6 deri në 16 gradë në zonat malore.
Era do të fryjë e lehtë deri mesatare, por në intervale të shkurtra pritet të forcohet, veçanërisht në bregdet dhe në zonat malore.






