
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se forcat detare të SHBA kanë qëlluar dhe sekuestruar një anije mallrash me flamur iranian, pasi ajo tentoi të thyejë bllokadën detare në Gjirin e Omanit.
Sipas Trump, anija e quajtur “TOUSKA”, me përmasa të mëdha, nuk iu bind urdhrave për ndalim nga një anije luftarake amerikane. Si pasojë, marina amerikane ndërhyri duke qëlluar në dhomën e motorit për ta neutralizuar.
Pas ndërhyrjes, marinsat amerikanë morën nën kontroll anijen dhe ekuipazhin e saj.
Ky incident vjen në një moment tensioni të lartë mes SHBA dhe Iranit, ndërsa të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit dhe për bllokimin e trafikut detar në zonën strategjike të Gjirit dhe Ngushticës së Hormuzit.
Situata mbetet e paqëndrueshme, ndërsa çdo incident i tillë rrit rrezikun për përshkallëzim të konfliktit në rajon.






