
Papa Leo XIV pritet të zhvillojë një vizitë simbolike në një nga vendet më të diskutueshme historike në Afrikë – një kishë në Angola e lidhur ngushtë me tregtinë e skllevërve.
Kisha “Zoja e Muximës”, e ndërtuar nga kolonizatorët portugezë në shekullin e 16-të, shërbeu për shekuj si një pikë ku afrikanët skllavë pagëzoheshin përpara se të dërgoheshin drejt Amerikës. Nga Angola, mbi 5 milionë njerëz u transportuan në rrugën transatlantike të skllavërisë.
Vizita e Papës në këtë vend shihet si një moment reflektimi mbi një të kaluar të errët, por edhe si një përpjekje për t’i dhënë një kuptim të ri këtij vendi, i cili sot është kthyer në një qendër pelegrinazhi për besimtarët katolikë.
Interesi për këtë vizitë është shtuar edhe pas zbulimeve mbi origjinën e vetë Papës. Sipas studimeve genealogjike, ai ka rrënjë të përziera, duke përfshirë si pasardhës skllevërish, ashtu edhe pronarësh skllevërish në SHBA.
Ekspertët e shohin këtë si një simbolikë të fortë, që mund të ndihmojë në afrimin e Kishës Katolike me komunitetet afrikane dhe në adresimin e plagëve historike.
Ndërkohë, Papa pritet të trajtojë edhe çështje aktuale si varfëria, korrupsioni dhe pabarazia sociale në Afrikë, duke e kthyer këtë vizitë jo vetëm në një akt simbolik, por edhe në një mesazh për të tashmen.



