
Tensione dhe përplasje kanë shoqëruar protestën e opozitës mbrëmjen e sotme në Tiranë, e cila nga bulevardi para Kryeministrisë u zhvendos në zonën pranë Parlamentit.
Burime bëjnë me dije se disa persona janë ndaluar nga Policia e Shtetit, pasi iu është gjetur një çantë me shishe molotov, ndërsa ndodheshin pranë zonës së Kalasë së Tiranës.

Sipas të dhënave paraprake, vetëm nga kjo ngjarje janë shoqëruar katër persona, ndërsa në total numri i të shoqëruarve gjatë protestës ka kaluar mbi 20.
Ndërkohë, përveç protestuesve dhe deputetëve të lënduar gjatë përplasjeve, raportohet se i plagosur ka mbetur edhe një efektiv policie, i cili është dërguar në Spitalin e Traumës me çarje në kokë.
Protesta u karakterizua nga momente kaosi dhe ndërhyrje të policisë me gaz lotsjellës dhe spraj për shpërndarjen e turmës.



