
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun Tiranë, Taulant Balla dhe ministrin e Bujqësisë, Andis Salla zhvilluan një bashkëbisedim me fermerët në Rrogozhinë, ku në fokus ishte paketa e mbështetjes për bujqësinë për vitin 2026.
Gjatë takimit, u diskutuan nevojat konkrete për përmirësimin e infrastrukturës vaditëse, si një hap i rëndësishëm për t’i ardhur në ndihmë fermerëve dhe për të rritur prodhimin bujqësor në zonë. Në prani edhe të ministrit, Balla ngriti si shqetësim nevojën për ndërhyrje konkrete që mundësojnë shpërndarjen e ujit në tokat bujqësore.
“Ky është rezervuari më i madh i cili nuk na hyn punë sepse nuk kemi dy sifona. Po të kemi dy sifona, i zgjidhim hallet. Ujin e kemi, por uji nuk shkon atje ku duhet për të vaditur,” u shpreh Balla, duke kërkuar që ky investim të realizohet sa më parë për t’i ardhur në ndihmë fermerëve të zonës.
Në fjalën e tij, Balla u ndal edhe te mbështetja financiare për bujqësinë, duke theksuar rritjen e buxhetit për këtë sektor për vitin 2026 dhe ndryshimet në skemën e naftës për fermerët.
“Tani një gjë është e vërtetë që me gjithë përpjekjet tona duke e bërë me kartë, duke ndërmarë çdo masë të nevojshme, nafta kurrë nuk shkoi tek bujqësia. Skema e re që po vihet në jetë nga ministri i ri unë mendoj që është një skemë e mirë që do ta japi efektin e duhur. 1100 bujq të Rrogozhinës janë përfitues. Por është roli i pazëvendësueshëm i bashkisë që të garantojë që gjithkujt i takon duhet edhe të aplikojë”, tha Balla.






