Vendimi i administratës amerikane për të lehtësuar përkohësisht disa kufizime ndaj dërgesave të naftës ruse ka shkaktuar reagime të forta në Evropë. Liderët evropianë paralajmërojnë se çdo zbutje e sanksioneve energjetike mund të rrisë të ardhurat e Moskës dhe të dobësojë presionin ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë.

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka njoftuar një përjashtim të kufizuar për dërgesat e naftës ruse që janë tashmë në transport, në një moment kur lufta në Lindjen e Mesme dhe tensionet me Iranin kanë rritur çmimet globale të energjisë.

Megjithatë, Komisioni Evropian theksoi se politika e Bashkimit Evropian ndaj energjisë ruse nuk ndryshon. Zëdhënësja e Komisionit, Paula Pinho, deklaroi se sanksionet dhe kufiri i çmimit për naftën ruse mbeten në fuqi edhe nëse çmimet në treg rriten.

Sipas Brukselit, çdo lehtësim i kufizimeve energjetike rrezikon të rrisë të ardhurat e Rusisë dhe ta bëjë Moskën përfitues indirekt të krizave ndërkombëtare.

Reagimi më i drejtpërdrejtë erdhi nga kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili deklaroi se zbutja e sanksioneve është një vendim i gabuar dhe pyeti se ku qëndron mungesa e naftës që do ta justifikonte këtë masë.

Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron, gjatë një takimi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se edhe një përjashtim i kufizuar mund t’i sjellë Rusisë deri në 10 miliardë dollarë të ardhura shtesë, që mund të përdoren për financimin e luftës në Ukrainë.

Nga ana tjetër, qeveria britanike ka ngritur shqetësimin se kriza në Lindjen e Mesme mund të fshehë një afrim strategjik mes Moskës dhe Teheranit, çka do ta bënte edhe më problematik çdo lehtësim të presionit ekonomik ndaj Rusisë.

Një qëndrim ndryshe ka mbajtur Hungaria. Ministri i Jashtëm Péter Szijjártó sugjeroi që Bashkimi Evropian të ndjekë shembullin amerikan dhe të lejojë rikthimin e naftës ruse në treg për të ulur çmimet.

Ndërkohë Italia ka konfirmuar se do të qëndrojë në linjën e përbashkët evropiane. Ministri italian i Mjedisit Gilberto Pichetto Fratin deklaroi se vendi është i gatshëm të hedhë në treg rreth 10 milionë fuçi nga rezervat strategjike për të stabilizuar çmimet e energjisë.

Debati tregon tensionin në rritje mes nevojës për stabilitet në tregjet e energjisë dhe strategjisë perëndimore për të kufizuar burimet financiare të Rusisë gjatë luftës në Ukrainë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu