Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paralajmëroi se në fillim të javës së ardhshme do t’u dërgojë ftesa për takim partive opozitare për të diskutuar zgjedhjen e presidentit të ri. Sipas tij, një marrëveshje politike është e domosdoshme për të shmangur zgjedhjet e reja dhe për të garantuar stabilitet institucional.

Kurti theksoi se qytetarët presin funksionimin normal të institucioneve dhe jo përsëritjen e procesit zgjedhor.

“Është e domosdoshme të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit. Qytetarët e Republikës presin stabilitet institucional dhe jo zgjedhje të përsëritura”, deklaroi ai.

Megjithatë, opozita e ka kushtëzuar takimin me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila aktualisht po shqyrton dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Partia Demokratike e Kosovës tha se mbetet e hapur për dialog politik, por theksoi se duhet pritur vendimi përfundimtar i Kushtetueses, e cila ka vendosur një masë të përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së presidentit. Vendimi pritet deri më 31 mars dhe do të përcaktojë hapat e mëtejshëm institucionalë.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili deklaroi se është i gatshëm të takojë Kurtin vetëm pas shpalljes së verdiktit të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kritikoi iniciativën e kryeministrit. Deputeti Besnik Tahiri tha se ftesa e Kurtit është përpjekje për të ndryshuar narrativën e bllokadës politike dhe për të ushtruar presion ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Kurti paralajmëroi se zvarritja e procesit ka edhe pasoja financiare. Sipas tij, mbi 120 milionë euro marrëveshje ndërkombëtare janë vonuar për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit, ndërsa organizimi i zgjedhjeve të reja do të kushtonte të paktën 10 milionë euro.

Debati politik në Kosovë vazhdon në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili pritet të sqarojë nëse do të vazhdojë procesi për zgjedhjen e presidentit të ri apo vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu