
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar dhe vendosur për asgjësimin e 738 kilogramëve mish pule të subjektit “KMY”, pasi u konstatuan kushte të papërshtatshme ruajtjeje që përbënin rrezik për shëndetin e konsumatorëve.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve të kryera nga inspektorët e AKU-së janë gjetur fileto dhe gjoks pule të ruajtura në ambiente të amortizuara, ku janë evidentuar prani myku dhe ndryshku në strukturat përreth.
Autoritetet theksojnë se këto kushte janë në kundërshtim me standardet e sigurisë ushqimore dhe përbëjnë rrezik për konsumatorët.
Si rezultat i inspektimit, AKU vendosi bllokimin e menjëhershëm të sasisë prej 738 kg mish pule, e cila nuk do të rikthehet në treg, por do të dërgohet për asgjësim sipas procedurave përkatëse.
Ndërkohë, ndaj subjektit janë marrë masa administrative, ndërsa pritet edhe vijimi i procedurave ligjore për shkeljet e konstatuara.
AKU u bën thirrje operatorëve të biznesit ushqimor të respektojnë standardet e sigurisë ushqimore, duke theksuar se kontrollet në treg do të vijojnë për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.



