
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtuesi Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla u bën thirrje shqiptaro-britanikëve të Barnet, Londër, që të mbështesin kandidimin e Anila Skejës në zgjedhjet lokale.
Kandidaturën e saj për Partinë Konservatore në këshillin bashkiak të Barnet, në Londër, Balla e cilëson si përgjigjen më të mirë ndaj sulmeve pak kohë më parë kundër komunitetit shqiptar që jeton dhe punon në Britaninë e madhe.
Në një postim në rrjetet sociale, Balla kujton se vetëm dy-tre vite më parë, disa ministra britanikë dhe media në Mbretërinë e Bashkuar kishin vënë nën shënjestër komunitetin shqiptar në Angli, përmes sulmeve dhe, sipas tij, narrativave të fryra artificialisht për arsye zgjedhore.
“Sot, për ironi me ata politikanë dhe me krenari për komunitetin shqiptar në Angli, një vajzë shqiptare, Anila Skeja, kandidon për Partinë Konservatore, partinë e Winston Churchill dhe Margaret Thatcher, në një nga këshillat komunalë të Londrës, Barnet”, shkruan Balla.
Balla thekson se raste të tilla nuk janë të izoluara, pasi shqiptarë të tjerë në Angli, Skoci dhe Uells po marrin role përfaqësimi në parti të ndryshme politike.
“ Si Anila kudo në Angli, Skoci, Uells ka plot bashkatdhetarë të tjerë që po marrin përgjegjësi përfaqësimi me parti të ndryshme. Shqiptarë si Andi Hoxhaj po nderohen me tituj mbretërorë nga vetë Mbreti Charles. Ata po shkëlqejnë kudo, në ekonomi, ndërtimtari, sport, art, kulturë etj.Prandaj thirrja ime sot për shqiptaro-britanikët e Barnet, Londër është të mbështesin Anila Skejën.” përfundon mesazhin e tij Taulant Balla.



