
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë me një padi kundër Institucionit të Presidentit të Republikës dhe prokurorit Ols Dado, duke kërkuar shpalljen e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të këtij të fundit si prokuror.
Në padinë e depozituar, Veliaj pretendon se emërimi i Ols Dados në vitin 2008 është kryer në kundërshtim të hapur me ligjin në fuqi në atë periudhë, pasi, sipas tij, Dado nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës, kriter i detyrueshëm ligjor për ushtrimin e funksionit të prokurorit.
Sipas kryebashkiakut, Ols Dado ka kaluar drejtpërdrejt nga statusi i noterit në atë të prokurorit, pa përmbushur kushtet ligjore të parashikuara nga legjislacioni shqiptar.
Në padi theksohet se ky emërim, i cilësuar si i paligjshëm, ka prodhuar pasoja të rënda institucionale dhe administrative, duke ndikuar jo vetëm në veprimtarinë e Bashkisë së Tiranës, por edhe në funksionimin e institucioneve të shtetit në tërësi.
Veliaj argumenton se veprimet e ndërmarra nga Ols Dado në ushtrimin e detyrës së tij si prokuror kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në çështje që lidhen me administrimin vendor dhe interesin publik.






