
Debate të forta janë shënuar në seancën plenare të Kuvendit, ku Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, ka replikuar ashpër me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke e akuzuar drejtpërdrejt për përgjegjësi në vrasjen e katër protestuesve më 21 janar 2011.
Balla u shpreh se Kuvendi është një hapësirë ku gënjeshtrat mund të demaskohen lehtësisht, duke iu referuar deklaratave të opozitës gjatë seancës. Ai hodhi poshtë pretendimet se mjekët në spitalet publike nuk kanë marrë pagat e muajit dhjetor, duke theksuar se, sipas verifikimeve zyrtare, fondi i pagave për këtë muaj është ekzekutuar 100% nga Thesari i Shtetit dhe se nuk ekziston asnjë mjek pa pagë.
Në vijim, Balla reagoi edhe ndaj deklaratave të Berishës lidhur me ish-kryeministrin e ndjerë Fatos Nano dhe ishullin e Sazanit, duke i quajtur ato të pavërteta. Ai theksoi se gjatë gjithë kohës që ka punuar pranë Fatos Nanos nuk ka ekzistuar asnjë bisedë, projekt apo plan për Sazanin me ish-kryeministrin italian Silvio Berlusconi, duke akuzuar Berishën se po i faturon paraardhësve të tij alibi për qëndrimet e veta.
“Kemi dy njerëz me diferencë të madhe moshe, por me të njëjtën sëmundje të pashërueshme: gënjeshtrën,” u shpreh Balla, ndërsa iu rikthye akuzave për kërcënime publike të bëra nga Berisha në të kaluarën, përfshirë deklaratat për përdorimin e armëve ndaj protestuesve.
Duke iu referuar ngjarjeve të 21 Janarit, por edhe vitit 1997, Balla theksoi se bëhet fjalë për disa nga ngjarjet më të rënda në historinë e vendit. “Ne pa e zbardhur përgjegjësinë tënde sa i përket urdhrave për vrasjen e katër shqiptarëve më 21 janar, nuk kemi për t’u tërhequr kurrë,” deklaroi ai, duke shtuar se kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me viktimat, por me vetë shtetin e së drejtës.
Në fund të fjalës së tij, Balla iu referua edhe marrëveshjes që po diskutohej në Kuvend, duke theksuar se kryeministri Edi Rama nuk ndodhet në Davos, por do të jetë në Shtëpinë e Bardhë, si i ftuar i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të firmosur autorizimin që Parlamenti po miraton. Ai i bëri thirrje opozitës që të votojë marrëveshjen, duke theksuar rëndësinë e saj për vendin.






