Një lajm shprese mes dhimbjes. Pas ditësh ankthi dhe mobilizimi masiv në rrjete sociale, është gjetur Boro, qeni që ishte zhdukur pas aksidentit të rëndë hekurudhor në Adamuz të Andaluzisë, ku humbën jetën të paktën 43 persona.

Boro ishte larguar i frikësuar menjëherë pas përplasjes fatale të dy trenave me shpejtësi të lartë. Pronarja e tij, Ana García, e plagosur në fytyrë dhe e mbështjellë me batanije, kishte bërë një apel prekës publik, duke thënë se “edhe ai është pjesë e familjes”.

Lajmi i mirë erdhi këtë mëngjes, kur zjarrfikësit pyjorë spanjollë njoftuan përmes rrjetit social X se qeni bardh e zi ishte gjetur dhe ishte kthyer shëndoshë e mirë te familja e tij.

> “Në këtë mëngjes të vështirë për vendin, ndajmë një lajm të mirë: Boro është gjetur”, – shkruan shërbimi zjarrfikës.

 

Historia e Boros u kthye në simbol shprese për shumë spanjollë. Gjatë ditëve të kërkimit, mijëra qytetarë shpërndanë fotografitë e tij dhe kontaktet e familjes, duke treguar solidaritet të rrallë në mes të tragjedisë kombëtare.

Ana García, 26 vjeçe, po udhëtonte nga Malaga drejt Madridit bashkë me motrën e saj shtatzënë dhe qenin, kur vagonët e fundit të trenit dolën nga shinat dhe u përplasën me një tren tjetër që vinte nga drejtimi i kundërt. Përplasja la pas dhjetëra viktima dhe mbi 150 të plagosur.

Autoritetet spanjolle vijojnë hetimet për shkaqet e aksidentit, ndërsa rikthimi i Boros ka sjellë një moment lehtësimi emocional për një vend ende në zi.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu