Republika e Kosovës ka shënuar një moment të rëndësishëm në bashkëpunimin rajonal, duke udhëhequr për herë të parë takimin e ministrave të bujqësisë të Evropës Juglindore, në kuadër të Forumit Global për Ushqim dhe Bujqësi, të mbajtur në Berlin të Gjermanisë.

Në këtë forum morën pjesë rreth 60 shtete, të përfaqësuara nga ministra, zëvendësministra, sekretarë shtetërorë dhe liderë kyç globalë të sektorit të bujqësisë.

Lajmin e bëri të ditur ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Delemezi, përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai theksoi se, në kuadër të Grupit Teknik për Zhvillim Rajonal dhe Rural në Evropën Juglindore (SWG), Kosova udhëhoqi takimin ministror, duke konfirmuar rolin e saj gjithnjë e më aktiv dhe të vlerësuar në bashkëpunimin rajonal dhe proceset integruese evropiane.

Gjatë adresimeve të tij, Delemezi nënvizoi përkushtimin e Kosovës për përmbushjen e kritereve të integrimit në Bashkimin Evropian, përmes reformave të vazhdueshme, përafrimit të politikave dhe legjislacionit me standardet e BE-së, si dhe ndërtimit të një sektori bujqësor modern, të qëndrueshëm dhe në përputhje me nevojat e shoqërisë.

Për tri ditë intensive, delegacioni i Ministrisë së Bujqësisë zhvilloi dhjetëra takime bilaterale dhe margjinale me partnerë strategjikë, përfshirë ministrat homologë të Kroacisë, Bullgarisë dhe Hungarisë, si dhe përfaqësues të Bankës Botërore, Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO).

Në fokus të këtyre takimeve ishin investimet në sigurinë ushqimore, ujitjen dhe infrastrukturën bujqësore, rritja e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, standardet veterinare, mbrojtja nga rreziqet klimatike, digjitalizimi i bujqësisë, zhvillimi i burimeve njerëzore dhe përafrimi me politikat e Bashkimit Evropian.

Sipas ministrit Delemezi, Kosova edhe njëherë konfirmoi përkushtimin për reforma dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke u dëshmuar si një partner i besueshëm rajonal dhe evropian për zhvillim, investime dhe siguri ushqimore.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu