
Sarandë, 19 janar 2026 – Dy të moshuar janë arrestuar nga Policia e Sarandës pasi dyshohet se kanë plagosur me mjet prerës një fëmijë 6-vjeçar, pas një konflikti për motive të dobëta.
Sipas njoftimit zyrtar, të arrestuarit janë Lavdërim Brahimi, 79 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Pranvera Brahimi, 73 vjeçe, banues në Sarandë. Ata dyshohet se kanë goditur të miturin në pjesën e dorës, pas pretendimeve se fëmija kishte ofenduar fëmijë të tjerë të familjes së tyre.
Policia bën me dije se çifti nuk i është bindur urdhrit për shoqërim, çka ka çuar në arrestimin e tyre. Në lidhje me ngjarjen është proceduar penalisht edhe djali i çiftit, 39 vjeç, i cili dyshohet se ka kanosur të miturin me mjet prerës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.






