
VLEN ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Arben Taravarit dhe Isen Shabanit për dështimin e censusit në Gostivar dhe Vrapçisht, duke i cilësuar ato si hipokrizi politike dhe përpjekje për të fshehur përgjegjësinë reale, që sipas tyre bie mbi Bashkimin Demokratik për Integrim dhe kryetarin e saj, Ali Ahmeti.
Sipas VLEN, pretendimet për “lista të papastruara zgjedhore” dhe për “5–6 mijë persona të vdekur në lista” janë mashtrim i qëllimshëm, pasi BDI ka fituar zgjedhje për më shumë se 20 vite pikërisht mbi bazën e këtyre listave, pa pasur asnjë interes për pastrimin e tyre.
Reagimi thekson se problemi është edhe më i thellë dhe më i rrezikshëm. Pas regjistrimit të fundit të popullsisë, BDI ndau qytetarët në rezidentë dhe jorezidentë, duke zhvlerësuar numrin real të shqiptarëve dhe duke përjashtuar qindra mijëra bashkatdhetarë nga diaspora. Ishte vetë BDI ajo që propozoi dhe votoi metodologjinë e censusit, e cilësuar nga VLEN si skandaloze dhe goditje direkte ndaj përfaqësimit të shqiptarëve në institucione.
Sipas VLEN, Arben Taravari dhe Isen Shabani po shkojnë edhe një hap më tej, duke synuar tani përjashtimin e diasporës edhe nga votimi, pas nxjerrjes së saj jashtë regjistrimit real të popullsisë. Kjo, thuhet në reagim, është vazhdimësi e së njëjtës politikë antishqiptare, e maskuar me retorikë për “pastrim listash”.
“Diaspora nuk është problem, diaspora është zgjidhje”, nënvizon VLEN, duke theksuar se përjashtimi i saj nga votimi përbën një grusht të rëndë ndaj demokracisë dhe vullnetit politik të shqiptarëve, kudo që jetojnë.
VLEN thekson se censusi nuk dështoi rastësisht, por si pasojë e politikave 20-vjeçare të BDI-së, që sipas tyre detyruan qytetarët të largohen nga vendi për shkak të korrupsionit, kapjes së institucioneve dhe qeverisjes klanore. Sot, thuhet më tej, të njëjtët njerëz po e përdorin emigrimin si alibi për dështimet e tyre.
“Problemi nuk ra nga qielli. BDI e krijoi, Taravari e mbron, ndërsa VLEN do të rregullojë gabimet e tyre”, përfundon reagimi.






