
Një mision në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) është ndërprerë për herë të parë në historinë 25-vjeçare të stacionit, pasi një nga astronautët ka pësuar një “gjendje serioze mjekësore”, duke detyruar NASA-n të nisë procedurat e evakuimit emergjent.
Katër astronautë janë shkëputur nga ISS dhe janë nisur drejt Tokës me anijen Dragon Endeavour të SpaceX. NASA nuk ka bërë të ditur identitetin e astronautit të prekur dhe as natyrën e problemit shëndetësor, për arsye konfidencialiteti. Sipas agjencisë hapësinore amerikane, gjendja e tij është e qëndrueshme, ndërsa autoritetet po veprojnë “me kujdes maksimal”.
Anija u shkëput nga stacioni pak pas orës 23:20 ndërsa ulja në Oqeanin Paqësor, pranë Kalifornisë, është planifikuar për 09:41 të mëngjesit të së enjtes.
Ekuipazhi përbëhet nga astronautët amerikanë Mike Fincke dhe Zena Cardman, astronauti rus Oleg Platonov dhe astronauti japonez Kimiya Yui. Ata kishin mbërritur në ISS në muajin gusht dhe planifikonin të qëndronin për të paktën gjashtë muaj.
Sipas korrespondentit shkencor të Sky News, deri më tani astronautët në ISS, të mbështetur nga mjekë dhe kirurgë fluturimi në Tokë, kishin arritur të përballonin çdo incident shëndetësor në hapësirë. ISS disponon mbi 190 medikamente, si dhe pajisje mjekësore si ekografi, defibrilator dhe sete për terapi intravenoze.

Si pasojë e emergjencës, ecja e parë hapësinore e planifikuar për vitin 2026 është anuluar, ku Fincke dhe Cardman do të përgatisnin instalimin e paneleve të reja diellore.
“Jam krenar për reagimin e shpejtë të agjencisë për të garantuar sigurinë e astronautëve tanë,” deklaroi drejtori i NASA-s, Jared Isaacman.
Ndërkohë, tre astronautë të tjerë kanë mbetur në ISS: amerikani Chris Williams dhe rusët Sergei Mikaev dhe Sergei Kud-Sverchkov, të cilët mbërritën në nëntor dhe pritet të kthehen në Tokë gjatë verës.
NASA ka njoftuar më herët se planifikon ta nxjerrë nga orbita stacionin 400-tonësh në fund të vitit 2030 ose në fillim të 2031-shit, duke e fundosur në oqean, ndërsa në të ardhmen pritet që stacione hapësinore private të marrin rolin e tij.






