
Forcat e Armatosura janë angazhuar në një operacion shpëtimi në fshatin Hasturkas të Fierit, ku përmbytjet kanë vënë në rrezik banorët dhe bagëtitë e zonës.
Në pamje të mbërritura nga terreni, efektivët e Ushtrisë shihen të rreshtuar njëri pas tjetrit, duke u futur në ujë për të nxjerrë bagëtitë e bllokuara nga prurjet e shumta.
Pamjet e shpëtimit të tufës së madhe
Niveli i lartë i ujit ka përmbytur toka bujqësore dhe oborre banesash, ndërsa bagëtitë, që për shumë familje përbëjnë burimin e vetëm të të ardhurave, janë rrezikuar seriozisht. Operacioni po zhvillohet në kushte të vështira, me rrjedhë të fortë uji dhe terren të vështirë.
Forcat e Armatosura, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile, vijojnë ndërhyrjen për evakuimin e plotë dhe minimizimin e pasojave nga përmbytjet, ndërsa situata në zonë mbetet nën monitorim të vazhdueshëm.






