
Situata nga përmbytjet në qarkun e Fierit vijon të jetë dramatike pas çarjes së argjinaturës së lumit Seman, duke izoluar zona të tëra dhe duke shkëputur banorët nga familjarët e tyre.
Mes lotësh, banorë të zonës tregojnë se kanë humbur kontaktet me të afërmit, të cilët kanë mbetur të bllokuar nga uji. Një grua apelon për ndihmë urgjente, duke thënë se burri dhe djali i saj ndodhen në zonën e rrezikut, së bashku me qindra krerë bagëti.
“Kam 300 kokë bagëti, nuk i nxorëm dot sepse uji erdhi me forcë. Atje kam burrin dhe djalin. Le t’i lënë delet, dua vetëm të shkoj t’i shoh,” shprehet ajo mes lotësh.
Banorët theksojnë se përparësia absolute është shpëtimi i jetëve njerëzore, ndërsa humbjet materiale kalojnë në plan të dytë. Operacionet për evakuimin e banorëve dhe bagëtive po vijojnë, por terreni i vështirë dhe prurjet e mëdha të lumit e bëjnë situatën tepër të rrezikshme.
Një tjetër banor shprehet se përmbytje të tilla nuk janë parë më herët në zonë:
“Jam 53 vjeç dhe nuk ka ndodhur kurrë një përmbytje e tillë. Prej dje janë shqyer argjinaturat. Shkaku është mosmirëmbajtja e tyre,” thotë ai.
Dramë edhe për familjet që kanë humbur çdo kontakt me të afërmit e izoluar prej ditësh:
“Çobani është lart, ka tre ditë pa bukë. Nuk dimë as ku janë, nuk kanë bateri në telefon. Nuk po pyesim më për mallin, duam vetëm njerëzit, jetët e tyre,” shprehet një tjetër banor.
Autoritetet dhe strukturat e emergjencës vijojnë ndërhyrjet në terren, ndërsa banorët bëjnë apel për ndihmë të menjëhershme, përpara se situata të përkeqësohet më tej.






