Situata nga përmbytjet në qarkun e Fierit vijon të jetë problematike si pasojë e prurjeve të larta të lumit Seman dhe çarjes së argjinaturës në disa segmente.

Si pasojë, uji ka vërshuar në tokat bujqësore të disa fshatrave, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Sipas të dhënave zyrtare, 20 banesa në fshatin Hasturkas, njësia administrative Libofshë, janë përmbytur. Uji ka depërtuar gjithashtu edhe në disa banesa në fshatin Havales gjatë orëve të mesnatës.

Në zonat e prekura kanë mbërritur ekipet e emergjencave civile, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se prurjet e lumit vijojnë ende me intensitet të lartë. Lumi Seman ka përmbytur sipërfaqe të mëdha bujqësore edhe në bashkinë e Dimalit, duke dëmtuar të mbjellat e fermerëve.

Situata në Shkodër në përmirësim

Ndërkohë, në qarkun e Shkodrës situata paraqitet në përmirësim. Gjatë natës është konstatuar ulje e nivelit të ujit në zonat e Obotit dhe Dajçit.

Megjithatë, rruga kryesore e Obotit vijon të jetë e mbuluar nga uji me rreth 100 centimetra, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve, përfshirë edhe ato të Forcave të Armatosura.

Transporti i banorëve po kryhet me varka, ndërsa aktualisht raportohet prezencë uji vetëm në oborre, jo brenda banesave. Banorët janë furnizuar me ujë të pijshëm dhe koncentrat për gjënë e gjallë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu