
Familjarët e 15-vjeçarit Erjon Boba, djali i cili mbeti i vrarë në konfliktin e 25 nëntorit në Durrës, kishin paralajmëruan për protestë ditën e sotme përpara Bashkisë së Durrësit.
Në këtë protestë, të pranishëm ishin vetëm familjarët e 15-vjeçarit.
Në një komunikim për mediat ishte halla e viktimës, e cila u shpreh se Erjoni u pre në besë nga shoqëria.
“Erioni ishte edukuar me punë. E vërteta e dhimbshme është se Erioni është prerë në besë nga kjo shoqëri, e cila sot, për fat të keq, nëse një fëmijë është djalë i mirë, vritet nga një fëmijë që prindërit nuk janë marrë me edukimin e tij. Shteti duhet të lëvizë, duhet të tronditet. Ky është një tërmet kur arrijnë të vriten fëmijët, mendoj se nuk ka asgjë më mbi fëmijët”, është shprehur halla e Erjonit, Barie Cupi.
Sakaq, një i afërm tjetër i familjes tha se rasti i 15-vjeçarit ishte një humbje e madhe për familjen.
“Fatkeqësi e madhe. Mjerë ato që e provojnë, fatkeqësisht po jetojmë në një shoqëri depresive dhe indiferente, nuk reagon për asgjë, nuk solidarizohet dhe kjo është e dhimbshme. Kjo ndodh sepse nuk po rritet një brez edukativ, por agresiv. Kur shkojnë nxënësit në shkollë, nuk marrin libra e fletore, por thika dhe municione. Askush nuk interesohet se çfarë bën fëmija”, është shprehur i afërmi. /Euronews.al/






