
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar projektligjin për të ashtuquajturën “Paqe Fiskale” si mbështetjen publike më të fuqishme që, sipas tij, kryeministri Edi Rama u jep karteleve të drogës shqiptare dhe ortakëve të tyre në Amerikën Latine.
Në një njoftim për shtyp, Berisha deklaron se ligji sanksionon amnistinë për paratë e drogës dhe krimit të organizuar, duke hapur rrugën për pastrimin e kapitalit kriminal, jo vetëm të grupeve shqiptare të kokainës dhe kanabisit, por edhe të partnerëve të tyre ndërkombëtarë.
Sipas Berishës, ky ligj është kundërshtuar prej dy vitesh nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera partnere, por pavarësisht kësaj, mazhoranca e ka votuar atë në parim në Kuvend.
Partia Demokratike thekson se deputetët e saj kanë mbajtur qëndrime të qarta kundër projektligjit dhe kanë depozituar amendamente konkrete në komisionet parlamentare, të cilat janë rrëzuar nga mazhoranca.
PD argumenton se ligji krijon një mekanizëm ligjor për pastrimin e parave, nxit evazionin fiskal dhe favorizon sektorë me risk të lartë për pastrim parash, veçanërisht sektorin e ndërtimit, të cilin opozita e cilëson si “lavatriçen më të madhe të parave të drogës në Europë”. Sipas saj, treguesit e ndërtimit në Shqipëri janë tre herë më të lartë se mesatarja e BE-së.
Në një deklaratë të dytë për mediat, Berisha renditi mekanizmat që, sipas opozitës, hapin rrugën për pastrim parash:
- Rishikimi i bilanceve të tre viteve të fundit pa pasoja ligjore, kundrejt një tatimi shtesë prej 5 përqindësh;
- Deklarimi i fitimit të ardhshëm për vitin 2026, duke shmangur kontrollet fiskale dhe duke nxitur sektorë me risk të lartë, si ndërtimi;
- Mungesa e plotë e transparencës për bizneset që përfitojnë nga falja fiskale;
- Refuzimi i përjashtimit nga skema i bizneseve që kanë pronarë me aktivitet tjetër fitimprurës.
Sipas PD-së, nga kjo skemë faljeje përfitojnë rreth 200 mijë biznese, prej të cilave 80 mijë aktive, ndërsa detyrimet e falura përllogariten në rreth 2 miliardë euro. Opozita thotë se ka kërkuar publikimin e listës së përfituesve, përfshirë bizneset që përfitojnë mbi 50 mijë euro, por kjo kërkesë është refuzuar.
Partia Demokratike përfundon se rrëzimi i amendamenteve të opozitës dëshmon, sipas saj, synimin e qeverisë për të hapur rrugën e pastrimit të miliardave të drogës dhe për të deformuar konkurencën dhe ekonominë shqiptare.






