
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar ndaj deklaratave publike të kryeministrit Edi Rama lidhur me çështjen “Balluku”, duke i konsideruar ato si një formë presioni politik ndaj pushtetit gjyqësor dhe një cenim serioz të parimit të ndarjes së pushteteve.
Në reagimin e saj zyrtar, Shoqata shprehet se ka ndjekur me shqetësim komunikimin publik të Kryeministrit për një çështje gjyqësore që aktualisht është në shqyrtim paralel nga Gjykata Kushtetuese dhe gjykatat e posaçme. Sipas gjyqtarëve, qasja e zgjedhur nga kreu i ekzekutivit përbën ndërhyrje në një çështje që është ekskluzivisht në juridiksionin e pushtetit gjyqësor.
“Nën petkun e ankesës për uzurpim të pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ nga pushteti gjyqësor, në të vërtetë fshihet një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë që kanë në shqyrtim çështjen në fjalë”, thuhet në deklaratë.
Shoqata thekson se komunikimi i përditshëm publik i këtij lloji synon të krijojë një klimë mosbesimi ndaj drejtësisë dhe mund të shërbejë si justifikim për masa të mëtejshme që cenojnë pavarësinë e saj. Sipas saj, ky është një rrezik real për funksionimin normal të shtetit të së drejtës.
Në reagim rikujtohet se ndarja dhe balancimi i pushteteve është një parim themelor i demokracisë dhe se pavarësia e gjyqësorit përbën gurin themeltar të këtij sistemi. Kjo pavarësi, theksohet më tej, vihet në rrezik jo vetëm nga veprime konkrete, por edhe nga deklarata apo qëndrime që perceptohen si presion politik ose që dëmtojnë reputacionin e gjyqësorit në sytë e publikut.
Shoqata i referohet gjithashtu raporteve të Komisionit Evropian për Shqipërinë, ku është adresuar si shqetësim vijimi i përpjekjeve për ndërhyrje dhe presion ndaj sistemit gjyqësor nga zyrtarë të lartë publikë dhe politikanë.
“Gjyqtarët janë të pavarur dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjit. Qëllimi i tyre nuk është fitimi i pëlqimit të shumicës, por zbatimi i vullnetit të sovranit, të shprehur në këto akte themelore”, thekson Shoqata.
Në përfundim, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve u bën thirrje të gjithë zyrtarëve të lartë të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ që të respektojnë pavarësinë e gjyqtarëve dhe të distancohen nga çdo deklaratë apo sjellje që cenon veprimtarinë gjyqësore. Sipas saj, ndërhyrja gjatë zhvillimit të procedurave gjyqësore përbën formën më të rrezikshme të shkeljes së parimit të ndarjes së pushteteve, pasi synon deformimin e vendimmarrjes përmes presionit politik.






