Hetimi i bujshëm që ka tronditur institucionet e Bashkimit Europian ka zbuluar detaje të reja lidhur me ndalimin e Federica Mogherinit, ish-nënkryetare e Komisionit Evropian dhe aktualisht Rektore e Kolegjit të Evropës. Autoritetet belge kanë ndaluar gjithsej tre persona, si pjesë e një hetimi të nisur nga Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) mbi mashtrime të mundshme në përdorimin e fondeve të BE-së.

Të ndaluarit janë Federica Mogherini, diplomati italian Stefano Sannino, ish-Sekretar i Përgjithshëm i EEAS për periudhën 2021–2025, dhe një menaxher i Kolegjit të Evropës, identiteti i të cilit nuk është bërë publik. Të tre dyshohet se kanë qenë të përfshirë në parregullsi të mundshme të një tenderi publik të financuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas EPPO, veprat penale të dyshuara lidhen me periudhën 2021–2022 dhe përfshijnë mashtrim në dhënien e kontratave publike, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Hetimi fokusohet në dyshimet se drejtues të Kolegjit të Evropës kanë pasur akses paraprak në kushtet e një tenderi që duhej të ishte konfidencial, duke favorizuar një aplikant të caktuar.

Rasti lidhet me financimin e Akademisë së re Diplomatike Evropiane në Bruges. Sipas të përditshmes belge “Le Soir”, Kolegji i Evropës bleu në vitin 2022 një ndërtesë të re në Spanjaardstraat për të akomoduar pjesëmarrësit e programit, pak para se EEAS të hapte thirrjen për financim, e cila më pas i dha institucionit një grant prej 654 mijë eurosh. Prokuroria po heton nëse Mogherini dhe drejtues të tjerë kanë pasur informacione të brendshme mbi tenderin, duke cënuar parimin e barazisë midis aplikantëve.

Përpara se çështja t’i kalonte EPPO-së, hetuesit e OLAF kanë marrë në pyetje individët e përfshirë. Deri tani nuk ka akuza zyrtare ndaj të ndaluarve dhe asnjë përfundim të hetimit, ndërsa autoritetet po sekuestruan dokumente dhe komunikime të rëndësishme. Operacioni u krye nga policia belge e Flandersit Perëndimor në koordinim me EPPO dhe OLAF.

Rasti vijon të ushtrojë presion mbi Kolegjit e Evropës, institucion prestigjioz i themeluar në vitin 1949 dhe i njohur si “inkubatori i elitës europiane”. Mogherini, e cila ka nisur mandatin e saj të dytë, nuk iu është përgjigjur pyetjeve të mediave mbi hetimin. Në kohën e hetimit, EEAS drejtohej nga Josep Borrell, por zyra e tij ka refuzuar të komentojë.

EPPO, funksional që prej vitit 2021, është institucioni i vetëm i BE-së që jo vetëm heton, por edhe ndjek penalisht krimet që prekin buxhetin e Unionit. Ai ka kompetenca më të gjera se OLAF, pasi mund të çojë çështjet në gjykatë. Hetimi mbetet i hapur dhe priten zhvillime të tjera.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu