
Mbi 1.000 persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur pas stuhive të fuqishme që kanë goditur Indonezinë, Tajlandën, Malajzinë dhe Sri Lankën, duke shkaktuar përmbytje masive, rrëshqitje toke dhe shpërthime emergjencash në të gjithë rajonin. Presidenti i Sri Lankës e ka cilësuar situatën si katastrofën më të madhe kombëtare në historinë moderne, duke thënë se dëmet janë edhe më të mëdha se ato të cunamit të vitit 2004.

Bilanci tragjik deri tani është 502 të vdekur në Indonezi, 355 në Sri Lanka, 176 në Tajlandë dhe 2 në Malajzi, duke e çuar shifrën totale në 1.035 viktima.
Në Indonezi, ishulli i Sumatras është goditur rëndë nga cikloni Senyar, i cili ka shkaktuar rrëshqitje toke dhe përmbytje shkatërruese. Mijëra banorë kanë mbetur të bllokuar pa ushqim e ujë, ndërsa qindra të zhdukur pritet të rrisin numrin e viktimave. Presidenti Prabowo Subianto ka vizituar zonat më të prekura ndërsa banorët rrëfejnë se shtëpitë u shembën brenda pak minutash.

Në Tajlandë, 2.8 milionë njerëz janë prekur nga shirat e rrëmbyeshëm që kanë goditur jugun e vendit. Qyteti Hat Yai ndodhet në mesin e zonave më të dëmtuara, duke përjetuar reshje që ndodhin një herë në 300 vjet. Në maternitetin lokal, 30 foshnja dhe stafi mbetën të izoluar për orë të tëra nga uji. Banorët tregojnë se kaluan deri në 48 orë të bllokuar në katin e dytë të shtëpive, duke pritur shpëtim.
Edhe Sri Lanka është goditur rëndë nga cikloni Ditwah, i cili ka shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje toke të papara prej vitesh. Janë shkatërruar mbi 25.000 shtëpi dhe 147.000 persona janë strehuar në qendra emergjence. Shumë familje kanë mbetur katër ditë në çati pa ushqim e pa komunikim, ndërsa organizatat humanitare po dërgojnë ndihma me varka dhe mjete të ushtrisë.

Në Malajzi, reshje të rralla tropikale kanë detyruar autoritetet të shpallin emergjencë lokale, ndërsa komunitetit i duhet të përballet me izolim dhe mungesa të theksuara të furnizimeve bazë.
Ekspertët paralajmërojnë se intensiteti i këtyre stuhive lidhet drejtpërdrejt me krizën klimatike globale dhe rritjen e fuqisë së cikloneve tropikale. Presidenti i Sri Lankës deklaroi se vendi nuk është goditur kurrë më parë në mënyrë kaq të njëkohshme, ndërsa ekipet e shpëtimit paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rritet ndjeshëm sapo uji të tërhiqet dhe zonat më të izoluara të bëhen të aksesueshme.







