
Një shtetas shqiptar i kërkuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë, falë bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe Interpol Roma.
Autoritetet italiane dorëzuan në Shqipëri Klajdi Murrizin, 31 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas dënimit të formës së prerë nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vitin 2024. Ai ishte dënuar me 6 vite burg, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”.
Si i shpëtoi Policisë në vitin 2022
Sipas dosjes së Policisë, Murrizi u përfshi në një episod të rëndë në vitin 2022, kur po përgatitej t’i dorëzonte një sasi lënde narkotike një shtetasi tjetër. Ai u diktua nga patrulla e Policisë dhe, në tentativë për t’u arratisur, hodhi drogën dhe u largua me shpejtësi me një makinë me targa të huaja.
Për kapjen e tij u ngrit një tjetër pikë kontrolli në zonën e Divjakës, por 31-vjeçari nuk iu bind urdhrave të Policisë dhe arriti të largohej, duke qëndruar në arrati për tre vite.
Fundi i arratisë
Pas lokalizimit nga autoritetet italiane, ai u arrestua dhe, me kërkesë të Interpol Tirana, u krye procedura e ekstradimit. Murrizi është dorëzuar tashmë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku do të vuajë dënimin e tij.







