Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, u pyet sot në Kuvend lidhur me çështjen që përfshin ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, por zgjodhi të mos komentojë mbi hetimin në fjalë.

“Asnjë koment për hetimin,” – u shpreh shkurt Dumani, duke iu referuar pyetjes së ngritur nga deputetët e opozitës gjatë raportimit të tij për veprimtarinë e SPAK dhe gjendjen e kriminalitetit në vitin 2024.

Në lidhje me pretendimet e fundit për presione ndaj prokurorit Dritan Prençi, Dumani u shpreh se nuk ka marrë asnjë ankesë zyrtare.

“Nuk më është paraqitur asnjë ankesë për presion ndaj prokurorit Dritan Prençi,” – tha ai, duke theksuar se çdo rast i tillë do të trajtohej sipas ligjit, nëse do të paraqitej në mënyrë formale.

Shefi i SPAK-ut raportoi sot në Kuvend për ecurinë e hetimeve të institucioneve të drejtësisë dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në kuadër të reformës në drejtësi, ndërsa tensionet politike në sallë u përqendruan tek hetimet që përfshijnë zyrtarë të lartë të qeverisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu