
Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, ka akuzuar SHBA-në për “fabrikim të një lufte”, pasi dërgoi anijen luftarake më të madhe në botë drejt Karaibeve, në një përshkallëzim të madh të përforcimit të saj ushtarak në rajon.
Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth urdhëroi që aeroplanmbajtësja USS Gerald R Ford, e cila mund të mbajë deri në 90 avionë, të largohej nga Mesdheu të premten. “Ata po sajojnë një luftë të re të përjetshme”, tha Maduro për mediat shtetërore. “Ata premtuan se nuk do të përfshiheshin më kurrë në një luftë, dhe po sajojnë një luftë.”. SHBA-të kanë rritur praninë e tyre ushtarake në Karaibe, duke dërguar anije luftarake, një nëndetëse bërthamore dhe avionë F-35 në atë që e quajnë një fushatë për të synuar trafikantët e drogës. Gjithashtu ka kryer dhjetë sulme ajrore ndaj anijeve që thotë se u përkasin trafikantëve, përfshirë një të premten kur Hegseth tha se “gjashtë narko-terroristë meshkuj” ishin vrarë.
Ky operacion u zhvillua në Detin e Karaibeve, kundër një anijeje që Hegseth tha se i përkiste organizatës kriminale Tren de Aragua. Sulmet janë dënuar në rajon dhe ekspertët kanë vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e tyre. Administrata Trump thotë se po zhvillon një luftë kundër trafikut të drogës, por është akuzuar gjithashtu nga ekspertët dhe anëtarët e Kongresit për nisjen e një fushate frikësimi në një përpjekje për të destabilizuar qeverinë e Maduros. Maduro është një armik i hershëm i Trump dhe presidenti amerikan e ka akuzuar atë si udhëheqës të një organizate trafikimi droge, gjë që ai e mohon.
Në njoftimin e së premtes, Pentagoni tha se transportuesi luftarak USS Gerald R Ford do të vendoset në zonën e përgjegjësisë së Komandës Jugore të SHBA-së, e cila përfshin Amerikën Qendrore dhe Amerikën e Jugut, si dhe Karaibet. Forcat shtesë “do të rrisin dhe shtojnë kapacitetet ekzistuese për të ndërprerë trafikimin e narkotikëve dhe për të degraduar e çmontuar TCO-të”, ose organizatat kriminale transnacionale, tha zëdhënësi Sean Parnell./balkanweb







