
Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço, i ftuar në emisionin Now në Euronews Albania me moderatoren Erla Mëhillin, komentoi kërkesën e babait të Ervis Martinajt për shpalljen e djalit të tij si të zhdukur.
Karamuço shpjegoi se, sipas procedurës ligjore, një person shpallet i zhdukur dhe vetëm nëse gjendet trupi ose një qelizë ADN-je, mund të shpallet i vdekur. Ai theksoi se deri më tani shteti nuk ka asnjë provë konkrete për fatin e Martinajt.
“Kjo nuk do të thotë në mënyrë kategorike se personi ka vdekur. Ka pasur raste që janë ngjallur edhe pas 20 vitesh. Minimalisht duhet gjetur një qelizë ADN, por nuk është gjetur asgjë,” – u shpreh Karamuço.
Eksperti shtoi se asnjë provë materiale nuk është gjetur për të identifikuar autorët apo për të vërtetuar nëse Martinaj është vrarë apo jo. “Të gjitha janë gojëdhëna dhe legjenda për persona të veçantë që mund të jenë marrë në pyetje, por deri sot nuk ka asnjë fakt që të çojë drejt autorëve,” – tha ai.