Tre ditë pas një prej grabitjeve më të bujshme në historinë e artit, Muzeu i Luvrit në Paris ka rihapur dyert për vizitorët. Institucioni kulturor më i famshëm në botë ishte mbyllur që prej fundjavës, kur një grup hajdutësh arritën të vidhnin xhevahire mbretërore me vlerë të vlerësuar në 88 milionë euro.

Pamjet e transmetuara nga agjencia Reuters treguan vizitorët duke hyrë sërish në muze, ndërsa masat e sigurisë ishin dukshëm të shtuara. Policia franceze vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, që ka tronditur jo vetëm Francën, por edhe opinionin ndërkombëtar.

Sipas autoriteteve, sendet e vjedhura përfshijnë disa prej bizhuterive më të rralla të periudhës së Napoleon Bonapartit dhe Perandoreshës Joséphine, pjesë e një koleksioni të çmuar historik që ndodhej në një ekspozitë të posaçme.

Grabitja, e kryer me profesionalizëm dhe brenda pak minutash, është cilësuar nga ekspertët si “një akt i planifikuar me kujdes” dhe një humbje e madhe për trashëgiminë kulturore të Francës. Ndërkohë, drejtuesit e Luvrit kanë deklaruar se bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet për rikthimin e objekteve të vjedhura dhe përmirësimin e mëtejshëm të sigurisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu