Biznesmeni dhe ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas deklaratave të deputetit Belind Këlliçi (të cilin ai në reagim e ka quajtur “Kalliqi”), i cili tha në një emision televiziv se Qeveria Shqiptare po paguan për ndërtimin e aeroportit.

Pacolli ka mohuar kategorikisht këtë pretendim, duke theksuar se projekti financohet tërësisht nga koncesionari dhe nuk përfshin asnjë pagesë nga buxheti i shtetit shqiptar.

“As Qeveria Shqiptare, e as ndonjë qytetar shqiptar, nuk ka paguar dhe nuk do të paguajë asnjë qindarkë për ndërtimin e këtij aeroporti. Ndërtimi financohet plotësisht nga koncesionari,” – shkruan Pacolli.

Ai sqaroi se kontrata e koncesionit parashikon vetëm një garanci minimale të pasagjerëve — një praktikë e zakonshme në marrëveshje të tilla ndërkombëtare — dhe se ky minimum arrihet pa vështirësi.

> “Çdo spekulim mbi barrë financiare për shtetin është tendencioz dhe keqdashës,” shtoi Pacolli, duke kërkuar që të mos helmohet kultura e informimit publik me lajme të pavërteta.

 

Në përfundim të reagimit të tij, ai nënvizoi se të gjitha investimet mbulohen nga kompania koncesionare, e cila do t’i rikuperojë mjetet e investuara gjatë periudhës së kontratës.

“Ju lutem, mos e helmoni kulturën e informimit publik me lajme të shtrembëruara. Dezinformimi nuk është thjesht gabim — është papërgjegjësi që dëmton publikun,” përfundon Pacolli.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu