Tiranë, 20 tetor 2025 – Një 35-vjeçar është arrestuar në flagrancë te liqeni i Prushit, pasi u kap duke vrarë kafshë të egra në mënyrë brutale, duke përdorur prozhektor për t’i verbuar.

Sipas Policisë së Tiranës, patrullat e Komisariatit Nr. 6 konstatuan gjatë kontrolleve të natës se i riu kishte dalë për “gjueti”, në kundërshtim me moratoriumin e gjuetisë, por metoda që përdorte s’kishte asgjë të përbashkët me sportin apo traditën.

Ai i ndriçonte kafshët e pyllit me dritë të fortë, duke i paralizuar nga frika dhe drita, dhe më pas i qëllonte me pushkë. Kjo mënyrë vrasjeje, thonë gjuetarër tradicionalë, nuk është gjueti, por masakër, sepse shkatërron pa kriter jetën e egër dhe vret shumë më tepër kafshë sesa një gjueti e zakonshme.

Në gjuetinë tradicionale, gjahtari lëshon qentë e stërvitur që ndjekin gjahun dhe e drejtojnë drejt tij — një proces që kërkon durim dhe ndjek rregulla të natyrës. Ndërsa në rastin e liqenit të Prushit, prozhektori kthehet në armë shtesë, që i bën kafshët të pambrojtura dhe pa asnjë mundësi mbijetese.

Policia bëri të ditur se i arrestuari, N. M., 35 vjeç, banues në fshatin Prush, u ndalua për veprën penale “Dëmtimi i specieve të vogla të florës dhe faunës së egër”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e gjahut, prozhektori dhe municionet që mbante me vete.

Kontrollet kundër gjuetisë së paligjshme do të vijojnë në të gjitha zonat pyjore dhe pranë liqeneve të Tiranës, ndërsa autoritetet apelojnë për ndërgjegjësim:
Gjuetia me prozhektor nuk është sport – është shkatërrim i natyrës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu