
Komuna e Terrassa-s në Spanjë ka vendosur të ndalojë përkohësisht adoptimin e maceve të zeza gjatë gjithë muajit tetor dhe deri më 10 nëntor. Vendimi synon të mbrojë këto kafshë nga abuzimet apo ritualet që shpesh lidhen me besëtytni dhe festimet e Halloween-it.
Autoritetet lokale e kanë cilësuar këtë si një masë parandaluese, për të shmangur keqtrajtimet që ndodhin çdo vit në këtë periudhë, kur macet e zeza shpesh shihen si simbol “ogurzi” apo përdoren në mënyrë të padrejtë në rite të ndryshme.
“Është një mënyrë për të tërhequr vëmendjen ndaj një fenomeni shqetësues dhe ende shumë real,” shkruan gazeta La Repubblica në artikullin e Ivo Albertucci-t.
Vendimi i komunës spanjolle ka marrë mbështetje të gjerë nga shoqatat për mbrojtjen e kafshëve, të cilat prej vitesh kërkojnë ndalimin e adoptimeve të maceve të zeza gjatë periudhës së Halloween-it.