
Tirana përgatitet për edicionin e nëntë të Maratonës, aktiviteti më i madh sportiv i kryeqytetit, i cili zhvillohet më 19 tetor 2025. Ky vit shënon edhe vitin kur Tirana mban titullin “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”.
Për shkak të këtij aktiviteti që do të shtrihet në rrugët kryesore të qytetit, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka hartuar një plan masash për devijimin e qarkullimit të automjeteve. Kufizimi i qarkullimit do të nisë nga ora 08:00 dhe do të zgjasë deri në orën 16:00.
Ndërkohë, më 18 tetor zhvillohet edhe aktiviteti sportiv “Maratona Fan Run”, duke filluar nga sheshi “Nënë Tereza” dhe duke vijuar deri në fund të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga ora 09:00 deri në orën 11:00.
Masat e qarkullimit dhe devijimet për linjat urbane
- Rrugët kryesore të prekura nga aktiviteti janë: “Lek Dukagjini”, “Ibrahim Rugova”, “Abdyl Frashëri”, “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe bulevardi “Bajram Curri”.
- Për linjat urbane, itineraret do të devijohen sipas një plani të detajuar, duke përfshirë linjat 1/A, 1/B, 2, 3, 4, 5/A, 5/B, 6, 8, 9, 10/A, 12/A, 12/B, 13, 15 dhe 16.
- Qarkullimi i mjeteve të emergjencës dhe Policisë do të vazhdojë normalisht gjatë gjithë ditës.
Kufizime për automjetet private dhe transportin e përzier
- Mjeteve private dhe transportit të përzier i ndalohet qarkullimi brenda unazës së madhe më 19 tetor nga ora 08:00 deri në 16:00.
- Devijime të detajuara janë parashikuar për secilën kryqëzim dhe rrugë të prekur, për të garantuar mbarëvajtjen e eventit dhe sigurinë e pjesëmarrësve.
Bashkia e Tiranës dhe Policia e Shtetit bëjnë thirrje për qytetarët që të planifikojnë udhëtimet e tyre dhe të respektojnë sinjalistikën për të shmangur vonesat gjatë zhvillimit të aktiviteteve sportive.