
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh sot se kërkesat e opozitës për të përshëndetur planin e paqes në Lindjen e Mesme, që ende nuk është firmosur janë një “shfaqje butaforike” e PD për të treguar se kush është më pro-amerikan.
Balla theksoi se edhe vetë Presidenti Trump nuk ka udhëtuar ende në Lindjen e Mesme dhe se faza e parë e marrëveshjes së paqes për Gazën nuk është ratifikuar ende as nga qeveria izraelite.
“Kursejani vetes këto gafa diplomatike.
Se siç thatë ju, ne duhet të jemi parlamenti i parë në botë që të përshëndesim një marrëveshje paqeje që pritet ta firmosë Trump javën e ardhshme,” u shpreh Balla.
Ai iu drejtua opozitës që të përmbajnë Tritan Shehun, i cili doli me propozimin për të përshëndetur planin e paqes, pasi siç tha Balla, “ ndonjë ditë do na shpallë luftë me Marsin.”
“Shqipëria është anëtare e NATO-s, kemi marrëdhënie strategjike me SHBA. T’ia kursejmë vetes këto, se dukemi qesharakë.
Në emër të Grupit Parlamentar Socialist i përshëndesim të gjitha përpjekjet maksimale të Trump, jo vetëm në Lindjen e Mesme, por kudo në botë,” tha Balla. Balla, gjatë seancës së sotme të Kuvendit ka kritikuar ashpër sjelljen e opozitës dhe ka kërkuar ndëshkimin e një deputeti që ofendoi një ministër.
Balla theksoi se në procedurë u kërkua dorëheqja e një ministri, një gjë që sipas tij nuk ishte parë më parë, duke e cilësuar një veprim pa sens dhe teatral nga opozita. “Edhe këtë nuk e kishim parë, por e gëzuam sot me ju, që ju paçim sa malet,” u shpreh Balla.
Ai shtoi se grupi i tij parlamentar ka vendosur standarde të qarta për debatet e ardhshme, duke theksuar se javën e ardhshme do të zhvillohet një debat 12 orë e gjysmë për pesë institucionet e drejtësisë, ku pritet të dëgjohet një mesazh solidariteti ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Kreu i Grupit Socialist u shpreh kritik ndaj një deputeti opozitar që ofendoi ministrin gjatë fjalës së tij, duke e quajtur sjelljen e tij të papranueshme: “Ky njeri këtu nuk ka vend! Tani, ai ose të tërheq prapaskenisht atë që tha dhe kërkon ndjesë ministrit, ose unë kërkoj pesë minuta pushim, dhe ky zotëria të dalë jashtë,” tha Balla.
Balla u shpreh gjithashtu se fjala për procedurë duhet të përdoret vetëm për çështje që lidhen me rendin e ditës dhe kritikoi praktikën e opozitës për të marrë fjalën jashtë rregullores.