Tiranë, 3 Tetor 2025 – Kryeministri Edi Rama njoftoi sot në një konferencë për mediat hyrjen në fuqi të ligjit për regjistrimin e hapësirave publike, duke theksuar se çdo metër katror i përbashkët i pallateve dhe bizneseve nuk mund të zaptoret nga individët me gardhe apo leje private. “Deri më sot nuk ka qenë rregulli i regjistrimit të hapësirës publike. Sot çdo hapësirë që përdoret nga një numër familjesh apo biznese bëhet publike dhe nuk mund të ketë aty gardhe,” tha Rama, duke paralajmëruar sanksione për ata që e shkelin këtë rregull.

Kryeministri shtoi se kjo masë synon të ndalojë deformimet dhe ndërhyrjet e paligjshme në ndërtim, duke vendosur përgjegjësi të qartë ligjore për arkitektët. “Arkitektët do të përballen me përgjegjësi ligjore nëse devijojnë nga projekti i miratuar. Në rast se ikin përgjegjësisë ligjore, ata do të paguajnë pasojat,” theksoi Rama, duke e cilësuar këtë si një qasje 360 gradë për disiplinimin e procesit të ndërtimit, jo vetëm për ndërtimet pa leje, por edhe për ato me leje që shkaktojnë konflikte dhe pengesa për qytetarët.

Me hyrjen në fuqi të ligjit, Rama nënvizoi se nuk mund të ketë më zaptues të hapësirave publike dhe as ndikim të padrejtë nga individë ose gjykata që nuk zbatojnë ligjin, duke garantuar kështu qasje transparente dhe të rregullt ndaj hapësirave publike dhe proceseve të ndërtimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu