Si shumë australianë, Rach u rrit duke qenë e “frikësuar nga dielli”, në një vend ku kanceri i lëkurës është realitet për shumë njerëz.

Fëmijëria e saj u karakterizua nga rregulli i famshëm “pa kapelë,  s’ka lojë” që zbatohej në shkollat australiane, reklamat e viteve ‘90 që paralajmëronin se dielli të shkakton kancer, dhe tubetet me krem kundër diellit që gjendeshin në çdo derë të shtëpisë.

Kjo e bëri që sot, në moshën 34-vjeçare, të jetë nga ato persona që vendosin rregullisht krem kundër diellit disa herë në ditë dhe rrallë dalin nga shtëpia pa një kapelë.

Por ajo mbeti e shokuar kur mjekët gjetën një kancer të lëkurës në hundën e saj gjatë një kontrolli në nëntor të kaluar – diçka që ata e quajtën jo normale, duke marrë parasysh moshën e saj dhe kujdesin që kishte treguar.

Megjithëse u klasifikua si një kancer i lëkurës me rrezik të ulët – karcinomë bazocelulare – ai u desh të hiqej kirurgjikisht, duke lënë një shenjë nën syrin e saj.

“Isha thjesht e hutuar dhe pak e zemëruar. Mendoja, ‘Po talleni me mua?’”, tha Rach për BBC, duke shtuar: “Mendova se kisha bërë gjithçka siç duhet, por sërish më ndodhi.”

Zemërimi i saj u rrit edhe më shumë kur mësoi se kremi që kishte përdorur prej vitesh ishte pothuajse i padobishëm sipas disa testeve dhe nuk ofronte mbrojtjen që premtonte.

Kremi që ka përdorur pacientja
Kremi që ka përdorur pacientja

Një analizë e pavarur nga një organizatë e besueshme e mbrojtjes së konsumatorëve, Choice Australia, zbuloi se disa nga kremrat më të njohur dhe më të shtrenjtë në Australi nuk ofronin mbrojtjen e deklaruar në paketim.

Raporti shkaktoi një skandal kombëtar, me reagime të fuqishme nga konsumatorët, nisjen e një hetimi nga autoriteti mjekësor australian (Therapeutic Goods Association – TGA), tërheqjen e disa produkteve nga tregu dhe ngritjen e pyetjeve për rregullimin e tregut të kremrave në mbarë botën.

Produktet që u përmendën për mosrealizimin e mbrojtjes së deklaruar përfshinin marka të njohura si Neutrogena, Banana Boat, Bondi Sands, Cancer Council, dhe veçanërisht Ultra Violette, e cila doli të kishte dështimin më të madh.

Një nga produktet kryesore të kësaj marke, Lean Screen SPF 50+ Mattifying Zinc Skinscreen, u testua me rezultat SPF 4, shumë larg nga niveli i deklaruar 50+. Ky rezultat tronditi aq shumë ekspertët e Choice saqë ata e përsëritën testin, duke marrë të njëjtin rezultat.

Ultra Violette fillimisht e kundërshtoi raportin, duke deklaruar se produkti ishte i sigurt dhe efektiv, por pas presionit të madh publik dhe testeve të tjera, njoftoi tërheqjen e tij nga tregu, duke kërkuar falje publike në Instagram.

Konsumatorët të zhgënjyer dhe të zemëruar

Rach, e cila e kishte përdorur ekskluzivisht këtë produkt për vite, tha se reagimi i kompanisë ishte si “një grusht në bark”.

“Ata nuk morën përgjegjësi të plotë,” tha ajo, duke u shprehur e zhgënjyer që kompania vazhdoi ta shiste produktin për dy muaj pasi kishte dyshime mbi efektivitetin e tij.

Edhe konsumatorë të tjerë reaguan me zemërim. Njëri prej tyre shkroi në rrjetet sociale:

“Një rimbursim nuk mund të kthejë mbrapa vite të dëmtimit nga dielli, apo jo?”

Ultra Violette tha për BBC se të gjitha produktet e tjera të kompanisë ishin testuar sërish dhe kishin dalë në përputhje me deklarimet e tyre.

Si ndodhi kjo?

Në Australi, kremrat kundër diellit rregullohen si barna, ndryshe nga Europa ku konsiderohen produkte kozmetike. Kjo supozohet të garantojë standarde më të larta sigurie.

Por hetimet e ABC zbuloi se një laborator amerikan kishte certifikuar të paktën gjysmën e produkteve që dështuan në testet e Choice dhe se ky laborator kishte tendencë të jepte rezultate më të larta se sa realiteti.

Gjithashtu, disa nga kremrat që u tërhoqën nga tregu ndanin të njëjtën formulë bazë, duke i lidhur me një prodhues në Australinë Perëndimore.

TGA tha se po shqyrton gjithashtu ndryshimin e kritereve të testimit të SPF, të cilat aktualisht mund të jenë “shumë subjektive” dhe të japin rezultate të ndryshme nga laboratorë të ndryshëm.

Dr. Michelle Wong, kimiste kozmetike, theksoi se krijimi i një kremi kundër diellit efektiv dhe të rehatshëm është shumë teknik dhe kompleks, pasi produkti testohet vazhdimisht nga djersa, uji apo edhe grimi.

“Rezultatet e testimeve janë të lehta për t’u manipuluar,” tha ajo, duke përmendur një rast në SHBA ku pronari i një laboratori testimi u burgos për mashtrim në vitin 2019.

Çfarë rekomandojnë ekspertët

Pavarësisht skandalit, ekspertët theksojnë se shumica e kremrave ende ofrojnë mbrojtje të konsiderueshme.
Sipas një studimi të madh klinik të viteve ‘90, përdorimi ditor i një kremi me SPF 16 uli ndjeshëm rastet e kancerit të lëkurës.

Dr. Wong tha se, sipas rezultateve të Choice, 95% e produkteve të testuara kishin një SPF të mjaftueshme për të ulur në gjysmë rrezikun e kancerit të lëkurës.

Ajo këshillon:

  • Përdorni sasinë e duhur – një lugë çaji për çdo pjesë të trupit, përfshirë fytyrën.
  • Riaplikoni çdo dy orë, veçanërisht pas notit apo djersitjes së tepërt.
  • Kombinoni kremrat me mbrojtje shtesë, si veshje mbrojtëse dhe kërkimi i hijes.

“Gjithmonë do të ketë variacione mes produkteve dhe testeve,” tha ajo, “por më e rëndësishmja është t’i përdorim rregullisht dhe në sasi të mjaftueshme.”/BBC

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu