Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kritikave të ngritura nga shoqata të gazetarëve lidhur me draftin e ri të Kodit Penal, duke theksuar se qeveria nuk ka qenë pjesë e hartimit të tij dhe se procesi është demokratik, transparent dhe ende në fazën e parë të diskutimeve.

Në një reagim publik në rrjetet sociale, Rama sqaroi se drafti është përgatitur nga një grup i pavarur ekspertësh të kryesuar nga drejtori i Shkollës së Magjistraturës, profesor Arben Rakipi, dhe jo nga Ministria e Drejtësisë apo Këshilli i Ministrave.

“Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit. Ai i është besuar një grupi ekspertësh të nderuar. Qeveria është vetëm njëra nga palët që do të japë mendimin e saj më pas”, shkruan Rama.

Sipas kryeministrit, drafti është ende në fazën e shqyrtimit dhe konsultimit, ndaj çdo reagim i menjëhershëm është i nxituar. Ai u bëri thirrje shoqatave të gazetarëve të mos alarmohen, por të shfrytëzojnë kohën që kanë në dispozicion për të analizuar draftin dhe për të kontribuar me propozime konkrete.

“Në vend që të alarmohen, shoqatat duhet të ndihen të lehtësuara e të respektuara, sepse kanë të gjithë kohën e nevojshme për të ballafaquar draftin me grupin e ekspertëve”, shton ai.

Kreu i qeverisë nënvizoi gjithashtu se pas përfundimit të konsultimeve me të gjitha palët e interesuara, versioni përfundimtar i draftit do t’i kalojë Ministrisë së Drejtësisë dhe më pas do të konsultohet me Komisionin Europian përpara se të shkojë në parlament.

“Pa vulën e Brukselit, drafti nuk shkon dot në Kuvend”, tha Rama, duke shtuar me ironi se “në Shqipërinë që po shkon në BE dhe jo në BRSS, askujt nuk mund t’i vijë e keqe nga Kodi i Ri Penal”.

Reagimi vjen pas shqetësimeve të ngritura nga organizata të gazetarëve dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut, të cilët kanë paralajmëruar se drafti përmban nene që mund të cënojnë lirinë e medias dhe të shprehjes.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu