
Pezullimi nga detyra i efektivit të Policisë së Shtetit në Dibër, i përfshirë në një konflikt fizik në Vlorë jashtë shërbimit, është vetëm hapi i parë, deklaron Kryeministri Edi Rama. Sipas tij, ky individ duhet të përjashtohet përfundimisht nga Policia e Shtetit dhe t’i dorëzohet drejtësisë sapo të dalë nga spitali.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Rama thekson se rasti në fjalë është një shembull i papranueshëm i sjelljes që nuk do të tolerohet më në radhët e shërbimeve publike.
Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se në paketën e re të masave për kontrollin e territorit, është parashikuar rritja e ndjeshme e përgjegjësisë ligjore për të gjithë punonjësit e shtetit që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët. Sipas tij, nuk do të tolerohet asnjë shkelje, brenda apo jashtë orarit të punës, që dëmton komunitetin apo interesin publik.
Ai theksoi se çdo punonjës apo zyrtar shtetëror që:
zotëron një ndërtim pa leje për përfitim personal,
shfrytëzon hapësira publike për përfitim,
do të përjashtohet nga detyra pa të drejtë rikthimi në administratën publike për një periudhë të gjatë dhe do të ndiqet penalisht njësoj si çdo qytetar tjetër.
“Abuzimi me pushtetin, uniformën apo funksionin publik nuk do të tolerohet më,” deklaron Rama.