
Shtetasi Ilir Lloshi është liruar nga Gjykata, pasi u provua se ndalimi i tij ishte bërë gabimisht për shkak të përputhjes së gjeneraliteteve dhe vendbanimit me një person të dyshuar si i përfshirë në një rrjet ndërkombëtar trafiku droge.
Në seancën gjyqësore, Lloshi ka deklaruar: “Nuk kam lidhje me këto punë, nuk kam dalë asnjëherë jashtë shtetit”. Ballafaqimi me bashkëpunëtorin e drejtësisë Erion Alibej, si dhe krahasimi me fotot e personit të dyshuar, konfirmuan se nuk bëhej fjalë për të njëjtin individ.
Ndërkohë, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 5 persona të tjerë të dyshuar si pjesë e këtij grupi kriminal:
Artur Hoxhosmani
Klevis Hoxhosmani
Ermir Ndrejaj
Erion Alibej
Plarent Dervishaj
Burime nga seanca me dyer të mbyllura bëjnë me dije se vëllezërit Hoxhosmani kanë mohuar akuzat dhe janë shprehur se nuk kanë qenë përdorues të aplikacionit të koduar SKY ECC, ndërsa Ermir Ndrejaj ka kërkuar një masë më të butë sigurie për shkak të një sëmundjeje të rëndë.
Ndërkohë, mësohet se Plarent Dervishaj është larguar nga salla e gjyqit para shpalljes së vendimit, pasi gjykata e paralajmëroi për mosrespektim të procedurës, për shkak se ndërhynte pa leje gjatë seancës.
Ky grup dyshohet se është zbuluar si rezultat i të dhënave të dekriptuara nga aplikacioni SKY ECC, në kombinim me deklarimet e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Erion Alibej.
Hetimet për këtë rast vijojnë në kuadër të përpjekjeve për çmontimin e grupeve të strukturuara kriminale të përfshira në trafik ndërkombëtar narkotikësh./vizionplus.