
Pas disa ditësh kërkimesh intensive, është gjetur trupi i pajetë i kapitenit Arben Anamali, 51 vjeç, i cili u mbyt në liqenin e Shkodrës më 8 korrik, gjatë përpjekjes për të shpëtuar dy turistë që kishin rënë në ujë.
Operacioni për kërkimin e tij u zhvillua nga Policia Kufitare dhe polumbarët e RENEA-s, të cilët pas kontrolleve të pandërprera, arritën sot të lokalizojnë dhe nxjerrin trupin e tij nga liqeni.
Ngjarja ka prekur opinionin publik dhe komunitetin lokal, pasi kapiteni Anamali u hodh në ujë për të shpëtuar jetën e të tjerëve, duke sakrifikuar jetën e vet.
Policia po vijon veprimet procedurale për të dokumentuar të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.