
Kompania e njohur e lodrave, Mattel, ka prezantuar së fundmi Barbie-n e parë që përfaqëson një person që jeton me diabet tip 1, duke synuar të promovojë përfshirjen dhe ndërgjegjësimin tek fëmijët në mbarë botën.
Barbie me diabet tip 1 është pjesë e linjës së njohur “Fashionistas” dhe vjen e pajisur me një matës glukoze në krah dhe një pompë insuline në bel, që reflektojnë jetën reale të një personi që menaxhon këtë gjendje shëndetësore. Përveç pajisjeve mjekësore, lodra mban veshje dhe aksesorë të dizajnuar për të normalizuar dhe reflektuar përditshmërinë e fëmijëve që jetojnë me diabet.
“Fëmijët duhet të shohin veten në lodrat me të cilat luajnë. Kjo Barbie i ndihmon ata të kuptojnë më mirë veten dhe të tjerët që jetojnë me diabet,” tha Krista Berger, zëvendëspresidente e Mattel për linjën Barbie.
View this post on Instagram
Ky produkt është realizuar në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare Breakthrough T1D, e cila prej vitesh punon për mbështetjen e personave me diabet tip 1 dhe për kërkimin shkencor në këtë fushë. Sipas CEO-së së Breakthrough T1D, Aaron J. Kowalski, kjo Barbie është një mënyrë për të normalizuar një realitet të përditshëm që për shumë fëmijë ka qenë i papërfaqësuar më parë në lodra.
Barbie me diabet është vetëm një nga shumë përfaqësime të diversitetit në linjën “Fashionistas”, që tashmë përfshin Barbie me sindromën Down, me ndihma dëgjimore, në karrige me rrota, apo me proteza, duke kontribuar në edukimin e brezave të rinj për pranimin e ndryshimeve dhe për bashkëjetesën me to.
Mattel dhe Breakthrough T1D shpresojnë që kjo iniciativë të rrisë ndërgjegjësimin për diabetin tip 1, një sëmundje autoimune që prek miliona njerëz në botë, shumica prej tyre fëmijë dhe të rinj.