
Presidenti amerikan Donald Trump ka shpërthyer sërish ndaj Elon Musk, këtë herë duke e akuzuar për përdorim të drogës si shkak të sjelljes së tij “të çmendur”. Sipas një raporti të publikuar nga prestigjiozja New York Times, Trump u ka thënë bashkëpunëtorëve të tij në biseda private se sjellja e Musk lidhet me abuzimin me substanca narkotike.
Referuar burimeve të NYT, Trump është informuar për raportimet e fundit që zbulojnë përdorimin e rregullt nga Musk të ketaminës, ekstazisë dhe kërpudhave halucinogjene. Sipas gazetës, përdorimi i këtyre substancave është intensifikuar gjatë kohës që Musk po fitonte ndikim në politikë dhe sidomos pasi ai dhuroi 275 milionë dollarë për fushatën e Trump.
Musk ka marrë një rol me ndikim në administratën e Trump si drejtues i të ashtuquajturit “Departamenti për Efektivitetin Qeveritar” – i njohur ndryshe si DOGE. Megjithatë, burime pranë tij pretendojnë se ai është thellësisht i varur nga ketamina, duke konsumuar doza të mëdha madje edhe përditë, ndryshe nga sa ka deklaruar më parë në intervista.
Në mars të vitit 2024, në një bisedë me gazetarin Don Lemon, Musk kishte minimizuar përdorimin e drogës duke thënë se e merr “vetëm një herë në dy javë” dhe se “kushdo që përdor shumë ketaminë nuk mund të punojë – ndërkohë që unë kam shumë punë”.
Tensionet mes dy figurave po rriten, me deklaratat e fundit të Trump që sinjalizojnë një prishje të plotë të marrëdhënies dikur të ngushtë mes tij dhe Musk.