
Policia e Tiranës ka reaguar pas përplasjes së demokratëve dhe socialistëve pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në kryeqytet. Në një deklaratë për mediat, Policia sqaron se nën drejtimin e prokurorit të gatshëm pranë SPAK, janë duke kryer të gjitha veprimet procedurale dhe hetimore, për dokumentimin e rastit.
Përfaqësuesit e opozitës, Belind Këlliçi, Adriana Kalaja, Grigels Muçollari dhe Tedi Blushi denoncuan se në një ambient në rrugën “Marko Boçari”, Tiranë, ushtrohej veprimtari të paligjshme zgjedhore nga PS.
Policia bën të ditur se ka ushtruar kontrolle te ambienti i pretenduar, por nuk ka rezultuar asgjë e kundraligjshme.
Disa persona janë shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje.
Njoftimi
Rreth orës 17:50, pas një njoftimi të bërë nga Belind Këlliçi, përfaqësues i Partisë Demokratike, shërbimet e Policisë shkuan në vendin e pretenduar dhe konstatuan disa shtetas pranë dhe brenda nje ambienti privat, që sipas kallëzuesve funksiononte si zyrë elektorale, pa shenja identifikuese, për Partinë Socialiste.
Gjatë kontrollit të ushtruar në prani të përfaqësuesve të të dyja subjekteve politike, në atë ambient nuk u gjetën materiale kompromentuese apo të kundërligjshëm. Personat e pranishëm u shoqëruan në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, ku janë marrë deklarime dhe kallëzime penale nga të dyja palët përfaqësuese të dy subjekteve politike. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, z. Erion Braçe, ka kallëzuar se përfaqësues të Partisë Demokratike kanë ushtruar forcë ndaj tij dhe personave të tjerë me të cilët ishte i shoqëruar.
Grupi hetimor po administron pamjet filmike dhe çdo provë tjetër me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë.
Në përfundim të veprimeve procedurale, do të jepet një njoftim i plotë mbi rezultatet e hetimit.
(BalkanWeb)